Sunday, March 9, 2014

Sërish në stol, Berisha tani e humbet vendin

Etrit Berisha përgatitet për stolin e tij të tretë radhazi tek Lacio. Pas sfidës ndaj Ludugoretsit në Bullgari, ku edhe humbi vendin pasi Federiko Marketi zbriti në fushë, prishtinasi është rikthyer të bëjë spektatorin. Edhe pse paraqitja e italianit ishte për t’u harruar dhe trajneri Reja pati thënë se “më kishte garantuar se ishte mirë”, Marketi mori sërish “çelësat” e portës dhe luajti edhe në ndeshjen tjetër të kampionatit, në Firence, ndaj Fiorentinës, e fituar 1-0 nga bardhekaltërit dhe ku italiani ishte deçiziv me disa pritje. E megjithatë, Berisha e dinte se do të vinte sërish ky moment, pasi Marketi duhet të ketë hapësira dhe të luajë, në mënyrë që kartoni i tij të rivlerësohet dhe në merkaton e verës të ketë një ankand për ta blerë. E sigurt është që ai do të lërë Lacion, por mosaktivizimi do të detyronte klubin e Lotitos të mos tërhiqte shumë litarin tek çmimi, pasi pretendentët do të largoheshin. Veç kësaj, duhet thënë edhe se Marketi gjatë gjithë kësaj kohe është mbajtur jashtë në formë presioni, ndërsa Berisha ishte njoftuar për këtë situatë. Por ka pasur edhe presione të jashtme, si nga agjentët e tij, që të rikthehet, pasi duhet të ketë një shans për të luajtur në Botëror me Kombëtaren.

No comments:

Post a Comment