Tuesday, March 4, 2014

Altin Lala: Krenar për detyrën e re në kombëtare


Altin Lala është zyrtarisht zv.trajner i Kombëtares shqiptare. Ajo që ishte paralajmëruar gjatë fundvitit të kaluar u bë zyrtare dje, kur vetë De Biazi prezantoi para mediave si ndihmës të tij ish-kapitenin kuqezi. Lala foli për këtë aventurë të re, teksa theksoi se ndihet krenar që është përzgjedhur për të qenë pjesë e stafit teknik kuqezi. “Është një eksperiencë e re dhe natyrisht m’u bë qejfi që trajneri De Biazi më ftoi për të bashkëpunuar. Jam shumë i lumtur, pasi për mua është një krenari fakti që do të jem në shërbim të Kombëtares, tashmë në rolin e zv.trajnerit. E falënderoj për këtë ofertë që më bëri, sepse është një eksperiencë krejt ndryshe në krahasim me rolin e futbollistit si futbollistit. Do mundohem të mësoj shumë gjëra nga De Biazi. Në fakt, unë kam luajtur për shumë vite në Gjermani dhe mentaliteti gjerman, por edhe ai italian, dominojnë në futbollin botëror”, – deklaroi fillimisht Lala.


Këshilla I pyetur se cilat do të ishin këshillat e tij për futbollistët e sotëm, për një gjë që nuk duhet të bëjnë për trajnerin, ai u shpreh: “Nuk ka diçka speciale, thjesht duhet punë dhe shumë seriozitet në stërvitje. Ndikon shumë edhe ana shpirtërore që duhet të ketë një lojtar. Unë do mundohem të ndikoj sa më pozitivisht tek ata që pak vite më parë i kam pasur shok skuadre në ekipin Kombëtar”.
Shorti Në lidhje me shortin e Shqipërisë për eliminatoret e EURO 2016, Lala deklaroi: “Nuk diskutohet që është një grup shumë i vështirë, pasi kemi si kundërshtar tri skuadra shumë të forta. Megjithatë, e kaluara ka treguar që ne mund të bëjmë surpriza edhe ndaj ekipeve si Portugalia apo Danimarka. E vetmja gjë pozitive mendoj se është fakti që edhe vendi i tretë të dërgon në fazën ‘play-off’ dhe, si të thuash, shpresa mbetet gjallë deri në fund. Pra, mund të bëjmë diçka të mirë në këtë grup, edhe pse është shumë i fortë. Shanset janë reale dhe ne duhet të tentojmë të bëjmë diçka të madhe”.
Komunikimi Në fund, në lidhje me komunikimin që do të ketë me trajnerin De Biazi, Lala në formë batute tha: “Unë italishten gjysmë e flas (qesh). Kuptoj italisht më tepër, por duke pasur kontakte më duhet vetëm ta përmirësoj, ose përndryshe trajneri (De Biazi) të mësojë shqipen. Fëmijët e mi e flasin në mënyrë perfekte italishten, ndërsa unë e kuptoj dhe flas pak. Por, të jeni të qetë se unë nuk do të jap intervistë në italisht”.

No comments:

Post a Comment